Baresha e Nexhmije Pagarushës mahnit këngëtaren libaneze, Elhaida Dani po i mëson asaj ta këndojë

By

Baresha do të mbetet një nga këngët më ikonike të muzikës mbarë shqiptare. Me muzikë të  Rexho Mulliqit, një kompozitor e disident politik i viteve të 50-ta, ish i burgosur i Goli Otok-ut, një kohë edhe ish bashkëshort i Nexhmije Pagarushës dhe tekst të Rifat Kukaj, kjo këngë më vete ngërthen bukuri melodioze dhe histori.

Elhaida Dani prej muajsh po udhëton në shtete të ndryshme të botës duke qenë se është pjesë e kastit të muzikantëve të ‘musical-it’ “Notre Dame de Paris”. Artistja shqiptare ka njohur shumë miq të rinj dhe pjesën më të madhe të kohës e ndan bashkë me ta.

Pavarësisht se Elhaida është zhvendosur për të jetuar në Itali dhe po shëtit të gjithë botën, nuk i harron asnjëherë rrënjët e saj. Pak ditë më parë ajo publikoi në ‘Instagram’ një video në të cilën shihej duke kënduar këngën më të famshme shqiptare “Baresha” dhe duket se po përpiqet që t’ua mësoj edhe miqve të saj të huaj.

Dani ka treguar se një shoqe nga Libani, Hiba Tawaji, e cila është këngëtare e njohur në vendin e saj dhe në gjithë Arabinë, e ka pëlqyer shumë këngën në fjalë.

Duke qenë se e ka tërhequr aq shumë ritmi i këngës, mikesha e Elhaidës është përpjekur ta mësojë “Bareshën” me ndihmën e këngëtares shqiptare. Dani ka postuar në ‘Instastory’ videon e Hibas dhe bashkangjitur saj ka shkruar: “Shoqes sime libaneze i pëlqeu shumë kënga dhe po e mëson. Hiba Tawaji po këndon shqip! Të dua shumë Hibou”.

 

Artikuj të ngjashëm